Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Krefeld-it në Gjermani mbrëmjen e së mërkurës.
Rreth orës 19:20, në një sallon në qendër të qytetit, një 25-vjeçar me origjinë afgane dyshohet se ka goditur për vdekje me thikë shefin e tij 41-vjeçar, gjatë momentit kur po numëroheshin të ardhurat e ditës.
Sipas autoriteteve, sulmi ndodhi papritur, kur i dyshuari nxori një thikë dhe goditi disa herë viktimën, e cila ndërroi jetë në vend si pasojë e plagëve të marra. Pas ngjarjes, autori tentoi të arratisej duke marrë me vete paratë e arkës ditore.
Megjithatë, sipas policisë lokale, ai u ndalua pak metra larg vendit të krimit, në zonën e Hochstraße, ku u përball me patrullën e policisë dhe u arrestua menjëherë.
Zyra e prokurorit në Krefeld ka konfirmuar incidentin dhe ka njoftuar se i dyshuari pritet të dalë para një gjykate për masë sigurie gjatë ditës së sotme. Hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të krimit janë ende në zhvillim.