Vritet me sëpatë një grua në Universitetin e Varshavës

- Bota Sot

Vritet me sëpatë një grua në Universitetin e Varshavës

Një grua është vrarë në një sulm me sëpatë në Universitetin e Varshavës në Poloni, kanë bërë të ditur autoritetet policore.

Sipas BBC News, universiteti njoftoi se ajo ishte anëtare e stafit dhe u sulmua në ndërtesën kryesore të kampusit të mërkurën në mbrëmje. Një roje universiteti që shkoi për ta ndihmuar u plagos rëndë, transmeton KosovaPress.

Një 22-vjeçar polak është arrestuar. Motivet e tij mbeten të paqarta, megjithëse një prokuror lokal tha se ai ishte student i vitit të tretë në Juridik, polak por jo nga Varshava.

Universiteti e përshkroi sulmin si një “tragjedi të madhe”. Ai shpalli ditën e enjte ditë zie, gjatë së cilës nuk do të mbahen mësime.

Sulmuesi hyri në ambientet e universitetit pak pas orës 18:40 me kohën lokale. Më pas ai u drejtua për te salla më e madhe e leksioneve në universitet, ndërtesa Auditorium Maximum.

Sipas raportimeve nga Polonia, gruaja që u vra në sulm ishte një mirëmbajtëse 53-vjeçare, e cila vdiq në vendngjarje. Roja e sigurisë që shkoi për ta ndihmuar është 39 vjeç.

Universiteti tha se të gjithë ishin të tronditur nga vrasja, shkruan BBC.

“Shprehim dhimbjen dhe ngushëllimet tona të thella për familjen dhe të afërmit”, tha rektori, Alojzy Nowak, në një deklaratë.

Ministri i Drejtësisë, Adam Bodnar, ishte duke marrë pjesë në një diskutim paneli në një sallë leksionesh aty pranë. Ai tha se nuk e kishte parë sulmin, por ishte informuar nga oficerët e mbrojtjes shtetërore për atë që kishte ndodhur.

Ai lavdëroi njërin nga oficerët e tij, i cili tha se vrapoi drejt vendit të ngjarjes për të ndihmuar rojen e universitetit që u përball me sulmuesin.

Kryetari i Bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowski, gjithashtu shprehu tronditjen e tij për atë që e përshkroi si një “krim makabër” në kampus. “Ky sulm brutal duhet të ndëshkohet ashpër”, shtoi ai.

Universiteti kishte planifikuar të mbante festivalin vjetor të muzikës, Juwenalia, të premten dhe të shtunën, por edhe ai është anuluar.



Read it all at Bota Sot