Sulmuesi argjentinas i mbyll derën

- Bota Sot

Sulmuesi argjentinas i mbyll derën

Sulmuesi i Mançester Junajtidit, Alehandro Garnaço, i cili ishte ulur pranë trajnerit Amorim në konferencë, u pyet për mendimin e tij mbi komentet e trajnerit se Junajtid do të ishte skuadra më e dobët e Premier Ligës që fitonte Ligën e Europës dhe si ndikojnë ato në dhomën e zhveshjes.

“E dimë që nuk po bëjmë një punë të mirë në Premier Ligë. Ne ndjekim rregullat dhe nesër (sot) do ta luajmë ndeshjen sikur është 0-0. Nëse fitojmë Ligën e Europës, do të jemi në Champions dhe mund ta nisim sezonin tjetër me një mentalitet më të mirë”.

Lidhur me të ardhmen personale, anësori argjentinas thotë se është “i lumtur” në “Old Trafford”, mes interesimit nga Napoli dhe Çelsi. “Si futbollist, gjithmonë do të dëgjosh thashetheme për të ardhmen. Unë jam nën kontratë deri në vitin 2028 dhe jam i lumtur këtu”.

Ndërkohë, një lajm i “Daily Mail” këtë javë pretendonte se kapiteni i Mançester Junajtidit, Bruno Fernandesh, mund të jetë objektiv i një oferte të madhe nga skuadra saudite Al Hilal këtë verë. Përfaqësuesit e mesfushorit portugez thuhet se kanë zhvilluar bisedime me Al Hilalin të hënën, pas kontakteve të para që kishin ndodhur vitin e kaluar, para se Fernandesh të rinovonte kontratën me “Djajtë” deri në verën e vitit 2027, me opsion për një vit shtesë.

Trajneri Ruben Amorim kishte deklaruar në mars se i kishte thënë 30-vjeçarit se “nuk do të largohej askund” pas zërave që e lidhnin me Realin e Madridit dhe ka përsëritur të njëjtin qëndrim edhe tani që është përfolur për transferim në Arabinë Saudite.

“Mendoj se është e lehtë të kuptohet rëndësia e tij, jo vetëm për statistikat, por edhe për mënyrën sesi luan dhe ndikimin që ka pasur gjatë këtyre pesë viteve këtu.

Ai është lojtar i nivelit të lartë. Ne kemi nevojë për lojtarë të tillë. Ai është lider, kapiteni ynë dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Është normale që shumë klube duan një lojtar si Bruno, si Garnaço, apo të tjerë.

Por, ne duam të mbajmë lojtarët më të mirë dhe Bruno është qartazi një nga më të mirët në botë. Ideja jonë nuk ka ndryshuar. Duam ta mbajmë këtu”.



Read it all at Bota Sot