Ende të shastisur nga emocionet dhe të rraskapitur nga ndeshja kundër Barcelonës, lojtarët e Interit janë rikthyer të gjithë bashkë për të menaxhuar sa më mirë forcat dhe për të provuar shanset e tyre në Serinë A. Simone Inzagi e la pushim skuadrën ditën e mërkurë, por të enjten u rikthyen në stërvitje.
Por vetëm dje, trajneri bashkë me stafin e tij do të kuptojnë me më shumë qartësi se si do të qasen në ndeshjet e ardhshme me dëshirën e madhe për të mos u dorëzuar për titullin kampion dhe me dëshirën e madhe për të arritur sa më në formë në finalen e madhe të Mynihut kundër PSG-së.
NJË SFORCO- Trajneri nuk ka dashur që të bëjë teatër në stërvitje, asnjë fjalim dhe asnjë mbledhje. E di shumë mirë se çfarë do të thotë të eliminosh Barcelonën në gjysmëfinale dhe se sa i madh është motivimi kolektiv në këto momente.
Por një gjë e ka përsëritur shpesh, si me lojtarët një nga një ashtu edhe me stafin e tij. Nuk pret që lojtarët të ulin marshin pikërisht tani, kur janë ndeshjet më vendimtare të sezonit. Madje, ai pret një shtysë më të madhe tani që adrenalina pas atij kualifikimi është e lartë dhe thellë brenda vetes beson te titulli kampion. Sigurisht që Napoli është më i avantazhuar, sepse ndodhet +3 pikë nga zikaltrit, por kanë mbetur edhe 3 ndeshje, ku gjithçka mund të ndodhë.
Gjatë ditës së djeshme, Lautaro dhe Pavar kanë punuar të diferencuar dhe me shumë mundësi nuk do të jenë gati për sfidën ndaj Torinos. Sulmuesi shtrëngoi dhëmbët dhe luajti i dëmtuar ndaj Barcelonës, por në kampionat do të pushojë për t’u rikuperuar sa më mirë për finalen.
E njëjta gjë edhe për mbrojtësin francez. Trajneri shpreson që t’i ketë të gjithë gati dhe në formë optimale në finalen e madhe. Inzagi nuk do që skuadra të humbasë përqendrimin dhe vëmendjen në kampionat, të paktën derisa matematika do të japë verdiktin.
Zikaltrit duan që të qëndrojnë në garë edhe aty. Të gjithë në klub e dinë që do të duhet një rrëshqitje e papritur për Napolin, por sigurisht do të provojnë t’i bëjnë presion Kontes dhe lojtarëve të tij. Interi kërkon që t’i fitojë të tria ndeshjet e mbetura, në mënyrë që ta bëjë detyrën e tij. Kjo është mënyra e duhur për të shpresuar dhe besuar. Madje, ai e di shumë mirë që nuk ka gjë më pozitive sesa fitorja në kampionat për t’u stërvitur në prag të finales së madhe të Champions-it.