Shejh Brahimi – udhëheqësi i urtë e shpirtëror i Teqesë në Damjan të Hasit

- Gazeta e Prizrenit

Shejh Brahimi – udhëheqësi i urtë e shpirtëror i Teqesë në Damjan të Hasit

Shejh Brahimi (1908–1988), biri i Shejh Fehratit, ishte një ndër figurat më të nderuara të tarikatit Halveti në rajonin e Hasit dhe më gjerë, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Ai shërbeu si udhëheqës shpirtëror dhe Shejh i tetë i Teqesë Halvetije në fshatin Damjan, një institucion i themeluar në vitin 1716 si degë e Teqesë së Saraç’hanës nga Prizreni.

Shejh Brahimi mbajti këtë detyrë për tri dekada, nga viti 1958 deri në ndërrimin e jetës në vitin 1988, duke lënë gjurmë të thella në jetën shpirtërore dhe shoqërore të besimtarëve.

I njohur për urtësinë, dashamirësinë dhe fjalën e matur, ai ishte ndërmjetësues i respektuar në pajtime dhe ngatërresa, duke përçuar gjithmonë frymë paqeje dhe harmonie. Përveç autoritetit fetar, gëzonte respekt të madh edhe në rrethet shoqërore, sidomos ndër të rinjtë, shumë prej të cilëve u bënë myhibë të kësaj dere.

Fjalët e tij për jetën, punën dhe marrëdhëniet familjare mbeten të paharruara ndër besimtarët. Pas vdekjes së tij, udhëheqjen e Teqesë e mori i biri, Shejh Bajrami, ndërsa aktualisht teqeja udhëhiqet nga Shejh Besimi, duke vazhduar trashëgiminë shpirtërore të kësaj dere të ndritur./Gazeta e Prizrenit /



Read it all at Gazeta e Prizrenit