Rasti tronditës i 24-vjeçarit Anton Tunaj, i cili ndërroi jetë pas një incidenti me armë zjarri në zonën malore mes fshatrave Skorrobisht dhe Lubizhdë, ka hyrë në një fazë të re hetimore.
Burime të Gazetes Sinjalit brenda sistemit të drejtësisë bëjnë me dije se, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, policia është angazhuar të kryej veprime hetimore, përfshirë dhe bastisje në shtëpitë e dy personave të dyshuar, S. J. dhe D. B., të cilët po mbahen nën mbikëqyrje që nga momenti i paraqitjes së tyre në stacion pas incidentit.
Veprimet hetimore do të kryhen me qëllim gjetjen e provave të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave, përfshirë dokumentim të mundshëm të armës, municionit shtesë, pajisjeve për komunikim dhe materiale tjera që mund të ndërlidhen me rastin.
Ndërkohë, hetuesit janë duke shqyrtuar edhe mundësinë e një skenari tjetër, që do të përjashtonte vetëvrasjen si version të vetëm, duke marrë në konsideratë faktin që arma ka qenë në posedim të paligjshëm dhe rrethanat mbeten të dyshimta.
Hetimet janë në fazë të hershme dhe çdo pistë po trajtohet me kujdes maksimal, thonë burimet e Sinjalit. Dy të dyshuarit ende nuk janë të arrestuar formalisht, por ndaj tyre po zhvillohen hetime intensive, sipas burimeve tona.