15 gola dhe 5 asiste, kartëvizitë e shkëlqyer për një mesfushor, veçanërisht kur sezoni nuk ka përfunduar ende, mes kampionatit dhe finales së Kupës së Italisë.
Dhe nëse shtojmë se në 51 paraqitje mes Serie A, Champions League, Kupë dhe Superkupë Italie, performancat e tij nuk kanë munguar thuajse asnjëherë, atëherë nuk është aspak e habitshme që emri i Tijjani Reijnders është futur në orbitën e klubeve të mëdha.
Mesfushor i gjithanshëm, trekuartist, organizator, ndonjëherë “regjisori’ i skuadrës kuqezi, me moshë ende të re (lindur më 1998), holandezi është bërë një shtyllë kyçe për kuqezinjtë. Që nga vera e vitit 2023, ai ka treguar se e përfaqëson me dinjitet fanellën e Milanit. Kjo është arsyeja pse klubi i rinovoi kontratën deri në vitin 2030, për ta “blinduar” karshi ofertave të mundshme tunduese.
Pavarësisht rinovimit, Manchester City dhe Chelsea vazhdojnë të ushtrojnë presion dhe ta ndjekin situatën e tij.
Guardiola e shikon Reijnders si pasuesin ideal të De Bruyne, i cili do të largohet në qershor si lojtar i lirë (me përfolje për një transferim te Napoli), ndërsa Chelsea e ka vëzhguar prej kohësh dhe e konsideron objektiv prioritar për verën.
Pas firmës së rinovimit me kuqezinjtë në mars, Reijnders u shpreh: “Jam shumë krenar që kam rinovuar pas vetëm një viti e gjysmë. Këtu për mua është si të jem në familje, mezi po i pres sezonet e ardhshme. Milani është si shtëpia ime e dytë”..