“Ky është kulmi i një sezoni shumë të suksesshëm, edhe pse nuk ka përfunduar ende.
E dimë që na presin finalja e Kupës së Francës dhe ajo e Ligës së Kampionëve, që do të jenë dy ndeshje shumë të rëndësishme për klubin”.
Kështu u shpreh Desiré Doué gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Trophées UNFP”, duke ndezur sfidën ndaj Interit për finalen e Champions-it, që do të zhvillohet në Mynih më 31 maj.
“Jam shumë i lumtur, falënderoj shokët e skuadrës, stafin, trajnerin dhe presidentin për besimin që më kanë dhënë, – shtoi mesfushori ofensiv i PSG-së, i shpallur ‘lojtari i ri më i mirë i vitit’. – Uroj që të fitojmë shumë trofe, sepse i meritojmë. Nëse e mora këtë çmim, është falë bashkëlojtarëve të mi.
Skuadra jonë është thjesht e jashtëzakonshme. Na pëlqen të luajmë bashkë dhe të rritemi së bashku me lojtarë të mëdhenj”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe shoku i tij i skuadrës, Ousmane Dembélé, i shpallur ‘lojtari më i mirë i vitit’ nga UNFP (sindikata e futbollistëve profesionistë francezë):
“Na ndajnë edhe tri javë nga mbyllja e sezonit, shpresoj që të fitojmë sa më shumë tituj. Uroj më të mirën për PSG, sepse është një klub që e meriton t’i fitojë këto dy trofe (parizienët do të luajnë gjithashtu edhe finalen e Kupës së Francës rreth një javë para finales së Champions-it).
Përpiqem gjithmonë të jap maksimumin në fushë, të jem vendimtar, këtë sezon jam shpërblyer.
Ky çmim është burim shtesë krenarie, e fitova falë klubit, të gjithë shokëve të skuadrës, stafit. Më kanë vendosur në kushtet më të mira që nga momenti që kam mbërritur te PSG”.