Vendet e para që do vizitojë Papa Leoni i XIV

- Bota Sot

Vendet e para që do vizitojë Papa Leoni i XIV

Papa Leoni I XIV shkroi historinë me zgjedhjen e tij në krye të kishës katolike duke u bërë Papa i parë me origjinë amerikane.

E gjithë vëmendja është përqendruar tek lëvizjet e tij të para dhe veçanërisht tek udhëtimet që ai do të realizojë.

SHBA do të duhet të presë pasi në listën e vendeve që Ati i Shenjtë ka zgjedhur janë disa të tjera.

Një vend i rëndësishëm nga një këndvështrim gjeopolitik dhe jo vetëm shpirtëror, është edhe Turqia dhe konkretisht qyteza e Iznikut, mund të jetë vendi i parë që Papa do të vizitojë, sipas mediave italiane. Udhëtimi për në Turqi, ishte përgatitur tashmë për Papa Françeskun përpara shtrimit të tij në spital.

Pas Turqisë, qyteti Fatima, në Portugali, është vendi i dytë ku mund të shkojë Papa Leo XIV, një destinacion që Ati i Shenjtë tashmë e ka vizituar gjatë kohës kur ishte kardinal.

Mediat e huaja shkruajnë se Ukraina është një nga vendet e tjera që Papa Leoni XIV planifikon të vizitojë. Ka qenë vetë Presidenti Volodymyr Zelensky ai që i telefonoi Papa Leo XIV për ta ftuar në Kiev, transmeton Klan news.

“Një vizitë e tillë do t’u sillte shpresë të vërtetë të gjithë besimtarëve dhe të gjithë popullit tonë. Ne ramë dakord të mbetemi në kontakt dhe të organizonim një takim në të ardhmen e afërt”, shkroi Zelenski më herët në një postim në rrjetin tij social ku u shpreh se kishte patur një bisedë telefonike me Atin e Shenjtë.

Biseda u konfirmua nga drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni.

Prania e Papës në kryeqytetin ukrainas do të ishte një sinjal shumë i fortë, një mesazh për botën dhe angazhimin e Kishës për t’i dhënë fund konflikteve në botë.

Një tjetër vend që pritet që Ati i Shenjtë të vizitojë është edhe Peruja. Një gazetar nga Lima i bëri një pyetje të drejtpërdrejtë: “A do të vini së shpejti në Peru?” Papa Leo XIV buzëqeshi dhe u përgjigj: “Do të kthehem”.



Read it all at Bota Sot