Serxho Konseisao kërkon trofeun e dytë si trajner i Milanit. Pas fitores së Superkupës, numri një i kuqezinjve është i qetë dhe me besim përpara duelit kundër Bolonjës.
Ai e konsideron një sfidë speciale dhe pret që rivali të jetë më i karikuar sesa në ndeshjen e kampionatit. Formacionin e mban sekret, por di që beson te djemtë që stërvit.
“Ky presion është pjesë e historisë sonë. E ndiejmë përditë dhe është normale për këtë klub të madh. Duhet që të jemi të përqendruar vetëm te kjo ndeshje dhe se si të përballemi me kundërshtarin. Do të jetë një ndeshje ndryshe nga ato të kampionatit”.
MOMENTI- “Sigurisht që rezultatet janë pozitive. Skuadra ka pasur përmirësim në nivelin individual dhe atë të grupit. Tre muajt e parë ishin të vështirë, sepse ne jetojmë për rezultatet”.
“OLIMPICO”- “Është një stadium që më ka dhënë kënaqësi të mëdha si lojtar, por ishin kohë të tjera ato. Duhet të jemi në maksimum, kundër një skuadre me intensitet. Duhet të kemi qasje pozitive. Duhet të jemi gati për çdo skenar, sepse Bolonja do të jetë ndryshe. Do të luajnë me më shumë dëshirë dhe vrull”.
SULMUESI– “Nuk do ta them se kush luan. Nuk e dinë as ata vetë. Kanë punuar mirë dhe janë gati. Kjo është e rëndësishme”.
TROFEU- “Sezonet në futboll janë të përbëra nga episodet. Sigurisht që do të jetë një kënaqësi e madhe t’iu dhurojmë tifozëve një tjetër trofe në një vit të vështirë. Këtë gjë e kemi në mendje. Ka shumë dëshirë për të luajtur në këtë finale. Grupi është i qetë”.
LEAO- “Është mirë dhe gati për të luajtur. Edhe ata do të rikuperojnë ndonjërin, si Ndojen për shembull, Odegardin dhe Fergusonin”.
NDRYSHIMI- “Ne të gjithë besojmë në atë që bëjmë. Rezultatet pozitive thjesht të ndihmojmë, por unë kam qenë i bindur për grupin e fortë dhe të shëndoshë. Nuk e kam thjesht me fjalë, por edhe me vepra”.
INTERI- “Kemi bërë mirë në Kupë duke eliminuar Romën dhe pastaj Interin. Duhet të jemi të përqendruar, sepse tani është një tjetër ndeshje dhe me shumë vlerë”.
“Kam 13 vite që e bëj këtë punë. Çdo ndeshje ka presionin e vet dhe karikimin gjithashtu. Nuk dua që të paraqitem thjesht si i qetë në media. Unë jam ky që jam”.
FOFANA– “Nuk e dimë ende nëse do të jetë gati. Ka një problem në këmbë. E them me siguri këtë dhe nuk është skemë. Do të shohim stërvitjen e fundit. Shpresojmë që t’ia dalë”.
E SHKUARA- “Nuk ka shumë rëndësi fakti që unë kam fituar kupa në Portugali. Vlen vetëm e tashmja dhe kjo ndeshje”.