“Nuk mund të themi që ka qenë një sezon i mirë”.
Tijjani Reijnders, pak orë para finales së Kupës së Italisë, që mund t’i sjellë Milanit trofeun e dytë sezonal, e thotë qartë këtë për “The Athletic”:
“Te Milani duhet të luftosh për titullin dhe të shkosh sa më larg në Champions. Kjo nuk ndodhi. Fatmirësisht kemi këtë finale dhe mund të shtojmë një tjetër trofe. Sidoqoftë, ndjenjat janë të përziera”.
Ky sezon, shumë larg kreut në kampionat, nuk e kënaq mesfushorin holandez: “Është zhgënjyes, sepse kemi cilësi.
Së pari mundëm Real Madridin, pastaj barazuam me Cagliarin. Me një trajner të ri gjithçka ndryshon.
Ai ka një vizion ndryshe dhe duhet ta transmetojë shpejt. Ndonjëherë kemi pasur mungesë fati, herë të tjera nuk e nisëm mirë. Ka aspekte që duhej t’i zhvillonim më shpejt”.
Për finalen e sotme, Reijnders paralajmëron një sfidë të vështirë: “Bologna është kundërshtar i fortë. Aplikon markimin një kundër një në të gjithë fushën, do të na duhen shumë lëvizje. Ata kanë cilësi me topin dhe anësorë të mirë. Sidoqoftë, nuk duhet të kemi frikë. Jemi Milani, duhet ta tregojmë këtë”.
Në nivel personal, sezoni i Reijnders ka qenë pozitiv: “E konsideroj veten një mesfushor ‘box to box’.
Ndihmoj në ndërtimin e aksioneve dhe pasimin e fundit, ose hyj në zonë për të shënuar. Si fëmijë shikoja Iniestën e Barcelonës së artë. Më pas fillova të ndjek De Bruyne. Shikoja video në YouTube për të kuptuar si e ‘skanon’ fushën para se të merrte topin. Mundohem të bëj të njëjtën gjë”.
Për të ardhmen, pavarësisht interesimit nga Anglia, pas rinovimit deri në vitin 2030, holandezi flet qartë si lojtar i Milanit: “Duhet t’ia rifillojmë nga bazat, nuk mund të mendojmë shumë larg. Tani ka rëndësi vetëm kjo mbrëmje”.