“Jam këtu vetëm për të parë ndeshjen”. Me këto fjalë Igli Tare u përgjigj për mikrofonët e gazetarëve, të cilët ishin në “Olimpico” për të mbuluar ngjarjet në lidhje me finalen e Kupës së Italisë.
Prezenca e shqiptarit, i cili u pa në shoqërinë e ndihmësit të Piolit, Xhakomo Mureli, në stadiumin roman konsiderohet si një sinjal i fortë nga mediet italiane për shoqërinë kuqezi, e cila nëpërmjet administratorit të deleguar ka pranuar se në këtë vit janë bërë shumë gabime.
“Kemi bërë shumë gabime. Edhe pse kemi fituar Superkupën e Italisë nuk mund të flasim për arritje të objektivave të vendosur në verë. Kjo skuadër nuk është në lartësinë e duhur”, ishin fjalët e administratorit të deleguar të Milanit, Xhorxho Furlani. Ky i fundit është njëri prej të akuzuarve për sezonin e dështuar të Milanit.
Prezenca e Igli Tares në stadium është interpretuar nga gazetarët si një sinjal i fortë për shoqërinë se nuk ka shumë kohë për të zgjedhur drejtorin e ri sportiv.