Çfarë do të ndodhë me Milanin tani?
Pas një sezoni të tillë, të mbyllur në mënyrën më të keqe të mundshme, rindërtimi i skuadrës kuqezi është i domosdoshëm.
Fillimisht në drejtim, pastaj edhe në përbërjen e skuadrës.
Grupi i lojtarëve aktualë do t’i nënshtrohet analizës së imtësishme nga drejtori i ri sportiv. Trajneri i ri do të ketë detyrën të mbledhë copat e një skuadre që sot nuk ngjan me një grup të bashkuar dhe, sidoqoftë, do të ndryshohet thellësisht këtë verë, duke nisur nga disa largime të rëndësishme.
Por kush do të largohet nga Milani këtë verë? I pari në listë është Theo Hernandez, një nga protagonistët kryesorë në fitimin e titullit kampion me Piolin në stol. Një nga blerjet më të mira të epokës së Paolo Maldinit si drejtues. Mbrojtësi francez sapo ka përfunduar sezonin më të dobët që kur ka veshur fanellën kuqezi, ndoshta vera e kaluar ishte momenti i duhur për ta shitur.
Sot, më shumë se kurrë, largimi i tij duket i pashmangshëm. Madje edhe për një shumë mjaft më të ulët nga 70-80 milionë eurot që kërkoheshin dikur, pasi kontrata e tij, që skadon në qershor 2026, e bën të domosdoshëm marrjen e një vendimi. Ekziston rreziku që, nëse nuk shitet tani, ish-lojtari i Real Madridit të largohet me parametër zero pas një viti.
Për Theo Hernandez, bisedimet për rinovimin janë të ndërprera prej muajsh. Ndërsa për Mike Maignan, kontaktet kanë vazhduar edhe kohët e fundit, por gjithsesi situata është ende në pikën zero.
Nuk ka marrëveshje, pavarësisht se kontrata i skadon pas një viti.
Maignan, i përzgjedhur katër vite më parë nga Paolo Maldini dhe Frederic Massara për të zëvendësuar Gianluigi Donnarumma, është gjithashtu në listën e mundshme të largimeve. Ai mund të transferohet te Chelsea ose Manchester United, dy nga klubet e mëdha të Premier League që janë në kërkim të një portieri të sigurt për sezonin e ardhshëm.