Emrat e mëdhenj që nuk mund të lihen jashtë

- Bota Sot

Emrat e mëdhenj që nuk mund të lihen jashtë

Edhe pse sezoni futbollistik në Evropë ende nuk ka përfunduar, gara për “Topin e Artë” tashmë ka nisur.

Me kampionatet kryesore që po shkojnë drejt përmbylljes dhe finalet evropiane që priten në javët e ardhshme, yjet e futbollit janë në fazën më vendimtare për të fituar vëmendjen e votuesve për çmimet më prestigjioze individuale në botë, “Topi i Artë” dhe “The Best” i FIFA-s.

Finalja e Ligës së Kampionëve do të peshojë shumë

Një rol kyç në këtë garë do ta ketë padyshim finalja e Ligës së Kampionëve, ku do të përballen Inter dhe Paris Saint-Germain. Fati i këtij trofeu mund të ndikojë drejtpërdrejt në fituesin e “Topit të Artë”.

Në rast se PSG ngre trofeun, atëherë Ousmane Dembele shihet si një kandidat i fortë, së bashku me bashkëlojtarët e tij Vitinha dhe Gianluigi Donnarumma, të cilët kanë qenë thelbësorë në rrugëtimin drejt finales.

Në anën tjetër, nëse Inter fiton, Lautaro Martinez do të ishte një favorit i natyrshëm, falë formës së tij të jashtëzakonshme.

Nuk përjashtohet as Nicolo Barella, dirigjenti i mesfushës së zikaltërve dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Simone Inzaghit.

Natyrisht, Kylian Mbappe, i cili pritet të bëhet golashënuesi më i mirë në sezonin e tij të parë me Real Madridin, është një tjetër emër i rëndësishëm në këtë garë.

Gjithashtu, Harry Kane (Bayern Munich) dhe Mohamed Salah (Liverpool), të cilët kanë udhëhequr skuadrat e tyre drejt titujve përkatës, janë pretendentë seriozë për një vend në podium.

“Topi i Artë” do të ndahet në vjeshtë, por javët që na ndajnë nga fundi i sezonit pritet të jenë vendimtare për përcaktimin e fituesit.

Me shumë yje në garë dhe surpriza të mundshme, gara këtë vit duket më e hapur se kurrë më parë.



Read it all at Bota Sot