Pas një sezoni aspak pozitiv, Manchester City është gati të rinovojë thellësisht skuadrën, duke nisur nga mesfusha, aty ku klubi kërkon një numër 8 dhe një numër 10.
Për pozicionin e mesfushorit qendror Reijnders i Milanit mbetet i preferuari, por për rolin e fantazistit emri që entuziazmon më shumë tifozët është Florian Wirtz.
Sipas asaj që raporton Bild, klubi anglez është në garë të fortë për të siguruar shërbimet e talentit gjerman të Bayer Leverkusen, dhe ka një avantazh të rëndësishëm: marrëdhëniet e shkëlqyera me klubin gjerman, i cili nuk do të përjashtonte mundësinë e përfshirjes së disa të rinjve të City-t në marrëveshje, si p.sh. James McAtee.
Në shenjë konkretizimi të interesit, prindërit e Florian Wirtz, të cilët menaxhojnë karrierën e tij, janë parë në Manchester, ku janë takuar me drejtuesit e City-t për të dëgjuar projektin që klubi dëshiron të ndërtojë rreth djaloshit 21-vjeçar.
Wirtz, një nga lojtarët më të spikatur të sezonit në Bundesliga dhe një “shtyllë” e Leverkusenit kampion, shihet si pjesë qendrore e gjeneratës së re që City dëshiron të ndërtojë për të rifilluar dominimin në Angli dhe Europë.