Pas triumfit në derbin ndaj Espanyolit (2-0) dhe fitimit të titullit të 28-të në La Liga, Barcelona ka zyrtarizuar një nga vendimet më të rëndësishme për të ardhmen: rinovimin e trajnerit Hansi Flick deri në qershor të vitit 2027.
Presidenti Joan Laporta, në një intervistë për “El Món” në “RAC1”, e bëri të ditur lajmin që ishte paralajmëruar prej disa javësh: “Jemi shumë të kënaqur me punën që po bën Hans. Ai ka ditur të rikthejë shpirtin konkurrues të skuadrës. E kemi diskutuar gjithçka, tani Deco do të përfundojë detajet e fundit dhe shumë shpejt do ta zyrtarizojmë rinovimin e tij”.
Laporta nuk i kurseu elozhet për teknikun gjerman, duke shtuar: “I jap një përqindje shumë të madhe të suksesit të skuadrës.
Ka disiplinë, rigorozitet, forcë mendore, ndjeshmëri të veçantë…, ka bërë që të gjithë të ndihen të rëndësishëm te Barcelona”.
Gjithashtu, presidenti theksoi se Flick është shumë i lumtur në klub dhe se e konsideron këtë periudhë si një nga më të bukurat në karrierën e tij: “Ai po e shijon shumë këtë aventurë, është i motivuar dhe i përkushtuar ndaj projektit”.
Rinovimi u finalizua pas fitores epike në “El Clásico” në Montjuïc (4-3), që përforcoi besimin e klubit dhe të vetë trajnerit në projektin afatgjatë. Me një stil të qartë, balancë mes përvojës dhe rinisë, si dhe mentalitet fitues, Flick ka rilindur Barcelonën, duke ndërtuar skuadër më të fortë psikologjikisht dhe më të qëndrueshme taktikisht. Pas Xavit, koha e Flick duket se ka nisur me sukses.