Performanca atletike në futboll po i sfidon gjithnjë e më shumë ligjet e fizikës.
Emri më i fundit që ka mahnitur botën është ai i Gabriel Silva, sulmuesi brazilian 23-vjeçar i klubit portugez Santa Clara, i cili ka regjistruar rekord të ri botëror në shpejtësi gjatë një ndeshjeje zyrtare: 40.3 km/h.
Shifra u regjistrua në minutën e 95-të të ndeshjes kundër Famalicão, në kampionatin portugez “Primeira Liga”, në stadiumin “São Miguel”. Klubi e bëri publik këtë fakt, ndërsa GPS e “StatSports” e konfirmuan zyrtarisht rekordin.
Gabriel Silva lë pas emra të njohur si Sven Botman i Newcastle, që mbante më parë rekordin me 39.21 km/h, dhe yllin francez Kylian Mbappé, i cili në Botërorin 2018 arriti shpejtësinë prej 37 km/h.
Për ta vendosur këtë arritje në kontekst: Usain Bolt, njeriu më i shpejtë në histori, ka arritur kulmin e tij me 44 km/h. Gabriel Silva është vetëm një hap larg legjendës së atletikës, por mbi barin e fushës së futbollit.