Tijjani Reijnders vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë vëmendje.
Siç raportoi “TuttoMercatoWeb”, Manchester City dhe Chelsea janë ndër klubet e interesuara për holandezin. Kjo nuk është për t’u habitur, me 15 gola dhe 5 asiste këtë sezon, paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re në Europë.
Në një sezon me pak momente pozitive dhe shumë luhatje për Milanin, Reijnders është shfaqur si një nga elementët më konstantë dhe në rritje, edhe në aspektin e lidershipit në fushë.
Pikërisht për këtë arsye, klubi kuqezi vendosi në mars ta zgjaste kontratën e tij deri në vitin 2030.
Sipas raportimeve, Pep Guardiola e sheh Reijnders si pasuesin e Kevin De Bruyne, i cili do të largohet nga City si lojtar i lirë në fund të sezonit. Edhe Chelsea, nga ana e tij, ka kohë që e ndjek dhe e ka në listën e prioriteteve holandezin kuqezi për merkaton verore.
“Corriere dello Sport” shton se ende nuk ka pasur kontakte konkrete mes City dhe Milanit, por është shumë e mundur klubi nga “Etihad” të paraqesë ofertën fillestare që kalon shifrën e 70 milionë eurove.
Kjo shumë do t’i lejonte CEO së Milanit, Giorgio Furlani, të regjistronte shitjen më të shtrenjtë në historinë e klubit, duke kaluar 67 milionët e marrë nga shitja e Kaká te Real Madridi dhe rreth 60 milionët e përfituar nga largimi i Tonalit te Newcastle.
Sipas të njëjtit burim, për Milanin aktualisht nuk ka lojtarë të pashitshëm. Pra, nëse mbërrin oferta e duhur, edhe Reijnders mund të largohet nga “San Siro” këtë verë.