Parandalohet vrasja e një personi në Kotor – arrestohen tre serbë në Mal të Zi

- Bota Sot

Parandalohet vrasja e një personi në Kotor – arrestohen tre serbë në Mal të Zi

Policia malazeze në Kotor ka arrestuar tre shtetas të Serbisë të cilët, siç dyshohet, me urdhër të një shtetasi të Malit të Zi nga Nikshiqi, kanë formuar një grup kriminal me qëllim për të likuiduar një person nga Kotori, ka deklaruar zëvendëskryeministri për Siguri, Mbrojtje, Luftë kundër Krimit dhe Politikë të Brendshme, Aleksa Beçiq.

Ky i fundit ka shtuar se është arrestuar edhe porositësi i krimit dhe se policia ka parandaluar një përpjekje të re për likuidim.

“Gjatë hetimit është konstatuar se të dyshuarit e kishin planifikuar me hollësi sulmin: kishin marrë me qira një apartament në Budva, kishin ndjekur lëvizjet e viktimës dhe kishin përgatitur terrenin për sulmin. Organizatori i grupit, shtetas i Malit të Zi nga Nikshiqi, është arrestuar gjithashtu dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal për bashkim në organizatë kriminale. Drejtoria e Policisë, përkundër sfidave të shumta, vazhdon luftën e vendosur kundër krimit të organizuar dhe dërgon mesazhin: asnjë grup kriminal nuk do të jetë mbi ligjin”, ka shkruar Beçiq në platformën X.

Sipas raportimit të gazetës Vijesti, Danijel Baniçeviq nga Nikshiqi është arrestuar nën dyshimin se ka organizuar një grup kriminal që planifikonte vrasjen e një sipërmarrësi nga Kotori.

Bashkë me të janë arrestuar edhe tre shtetas serbë Miljan Jovanoviq (21 vjeç), Aleksandar Stefanoviq (22 vjeç) dhe Dushan Trkulja (20 vjeç), të cilët dyshohet se kanë hyrë në Mal të Zi në fillim të majit 2025 me qëllim të kryerjes së këtij krimi.

Ndryshe, policia malazeze po ndërmerr me vendosmëri dhe përkushtim masa për të rritur nivelin e sigurisë, për të forcuar besimin e publikut në punën e sektorit të sigurisë dhe për të vendosur sundimin e ligjit në të gjitha nivelet.

Gjithashtu kujtojnë se oficerët e Drejtorisë së Policisë, gjatë periudhës së kaluar, në veprime të ndara, kanë parandaluar dhe zbardhur plotësisht pesë përpjekje për kryerjen e veprave të rënda penale.



Read it all at Bota Sot