Guardiola: Për penalltinë vendosën lojtarët

- Bota Sot

Guardiola: Për penalltinë vendosën lojtarët

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, foli për BBC One pas humbjes tronditëse 1-0 në finalen e FA Cup ndaj Crystal Palace. Trajneri katalanas pranoi meritat e kundërshtarëve të tij, por shprehu edhe keqardhjen për mundësinë e humbur.

“Ne nuk shënuam, kështu që urime për Crystal Palace për fitoren, bëmë gjithçka që mundëm. Sot ishim më agresivë. Por nëse nuk shënon, nuk mund të fitosh”.

I pyetur në lidhje me vendimin e VAR-it për të mos përjashtuar Dean Henderson(portieri i Crystal) për një prekje të supozuar të topit me dorë jashtë zonës, Guardiola u përgjigj: “Pyesni arbitrin”.

Në lidhje me vendimin për të gjuajtur penalltinë Omar Marmoush në vend të Erling Haaland, trajneri shpjegoi: “Nuk e di, nuk kam folur me ta për këtë. Ata morën një vendim. Ata vendosën”.

Duke analizuar performancën e ekipit të tij, Guardiola theksoi disa aspekte pozitive:

“Ne luajtëm shumë më mirë se në finalen e vitit të kaluar kundër Manchester United. Futbolli është i tillë, ndonjëherë shkon kështu. Në fund, me Claudio Echeverri, patëm një shans të mirë. Ne i kontrolluam mirë tranzicionet”.

Në fund trajneri e mbyll me sportivitet: “Po, fatkeqësisht nuk arritëm të fitonim, por urime për Crystal Palace”.



Read it all at Bota Sot