Pyjet tropikale u zhdukën më shpejtë se kurrë në vitin 2024

- Bota Sot

Pyjet tropikale u zhdukën më shpejtë se kurrë në vitin 2024

Pyjet tropikale të botës, një mburojë kyçe kundër ndryshimeve klimatike, u zhdukën më shpejt se kurrë në vitin 2024, sipas një analize të re satelitore.

Rreth 67.000 kilometra katror të pyjeve të virgjëra u humbën – sa sipërfaqja e Irlandës ose 18 fusha futbolli në minutë. Për herë të parë, zjarret shkaktuan më shumë humbje se pastrimi i tokës për bujqësi, me Amazonën më të prekur për shkak të thatësirës ekstreme.

Në Azinë Juglindore pati zhvillime pozitive falë politikave qeveritare, shkruan BBC.

Profesori Hansen paralajmëroi për rrezikun e "savanizimit" të pyjeve, një ndryshim i pakthyeshëm nga pyll në savanë. Një studim tjetër sugjeron se nëse ngrohja globale tejkalon 1.5 gradë celsius, Amazonës i kanoset shkatërrimi masiv.

Dikur thithëse e karbonit, djegia e pyjeve po çliron miliarda ton gazra ndotës – rreth 3.1 miliardë ton, sa emetimet e Bashkimit Evropian.

Rod Taylor nga Instituti i Burimeve Njerëzore tha se tani zjarret janë bërë më të fuqishme për shkak të ndryshimeve klimatike, duke krijuar një cikël negativ të përshkallëzimit.

Brazili dhe Bolivia ishin ndër më të prekurat, pasi thatësira krijoi kushte ideale për përhapjen e zjarreve jashtë kontrollit.

Vendet e Azisë Juglindore, përkundër trendit global, shënuan përmirësim. Në Indonezi, humbja e pyjeve primare ra me 11 për qind krahasuar me vitin 2023, pavarësisht thatësirës. Kjo falë bashkëpunimit mes qeverive dhe komuniteteve për të zbatuar ligjet kundër djegies së pyjeve.

“Indonezia është pika e ndritur e vitit 2024”, tha Elizabeth Goldman nga Roja Botërore e Pyjeve. Gabriel Labbate nga Organizata e Kombeve të Bashkuara shtoi se “vullneti politik është çelësi i suksesit”.

Edhe vende si Brazili kanë pasur suksese të ngjashme, por ndryshimet në politikat qeveritare pas vitit 2014 sollën rritje të shpyllëzimit.

Profesori Hansen theksoi se për të ruajtur pyjet, politikat mbrojtëse duhet të jenë të vazhdueshme: “Duhet të fitosh gjithnjë dhe përgjithmonë”.

Samiti i klimës COP30 këtë vit, që do të mbahet në Amazonë, pritet të jetë kyç për nxitjen e masave për mbrojtjen e pyjeve.

Një ide është shpërblimi financiar për vendet që ruajnë pyjet tropikale – një mënyrë për të ndalur përfitimin më të madh që aktualisht vjen nga shkatërrimi i tyre.



Read it all at Bota Sot