Pesë tifozë janë dënuar me nga një vit burg dhe gjoba për fyerje raciste ndaj sulmuesit të Real Madrid, Vinicius Junior, gjatë ndeshjes mes Real Madrid dhe Real Valladolid në dhjetor të vitit 2022.
Gjykata e Valladolid ka dhënë dënimet, që janë pezulluar me kusht që të dënuarit të mos kryejnë vepra të reja gjatë tri viteve të ardhshme. Po ashtu, ata janë të ndaluar të marrin pjesë në ndeshje futbolli për të njëjtën periudhë kohore. Gjobat e shqiptuara variojnë nga 1080 deri në 1620 euro.
Padia ishte ngritur nga LaLiga në bashkëpunim me Vinicius Junior, klubin e Real Madrid dhe Prokurorinë.
LaLiga e ka përshendetur vendimin duke theksuar se ai e përçon mesazhin se intoleranca nuk ka vend në futboll.