Gazeta Insajderi merr vesh që, nën udhëheqjen e Kryeprokurorit Petrit Kryeziu, Prokuroria Themelore në Prizren sot ka kryer një operacion të madh kundër korrupsionit.
Ata po hetohen për veprën penale “ushtrim i ndikimit”.
Njëri nga të dyshuarit u kap me para dhe në flagrancë, pasi që kishte premtuar të dëmtuarit se, në këmbim të një shume të konsiderueshme të parave, do të ndikonte për lirimin nga masa e paraburgimit të një personi të dyshuar për fajde.
Insajderi merr vesh që është arrestuar avokati Bekim Parallangaj. Bashkë me të u arrestua edhe zyrtari i gjykatës në Prizren, Nysret Pepniku, i njohur me pseudonimin Ceti.
Është arrestuar edhe një person tjetër, që po identifikohet se ku ka qenë i angazhuar me punë, por ka shërbyer si ndërmjetës në grup, me emrin Bekim Krasniqi.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.