Britania ia dorëzon ishujt Mauriciusit, merr për 99 vjet me qira bazën ushtarake

- Bota Sot

Britania ia dorëzon ishujt Mauriciusit, merr për 99 vjet me qira bazën ushtarake

Britania e Madhe ka nënshkruar një marrëveshje që do ti kthejë ishujt Chagos në kuadër të shtetit afrikan Mauricius, por për një tarifë prej 101 milionë funte në vit do të ruajë kontrollin e bazës ushtarake.

Kryeministri Keir Starmer tha se marrëveshja, e cila do ta shohë Britaninë të marrë me qira bazën për 99 vjet me një opsion për ta zgjatur edhe për 40 vjet të tjera, është në interesin kombëtar, raporton BBC.

Përveç qirasë, Britania e Madhe do të krijojë gjithashtu një fond prej 40 milionë funtesh për banorët e ishullit.

Ishujt u ndanë nga Mauriciusi në vitin 1965 kur vendi ishte ende një koloni britanike dhe Londra zyrtare i bleu për tre milionë funte.

Midis viteve 1967 dhe 1973, e gjithë popullsia u dëbua për të përgatitur kushtet për ndërtimin e një baze të përbashkët ushtarake me SHBA-në, e cila ndodhet në ishullin më të madh, Diego Garcia.

Duke folur nga selia e ushtrisë britanike, Starmer tha se kjo bazë është një nga kontributet më domethënëse në bashkëpunimin e sigurisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Njëqind e një milion funte është kostoja mesatare në vit. Kostoja totale është 3.4 miliardë funte gjatë 99 vjetëve," shtoi ai.

Londra zyrtare do të mbajë kontrollin e plotë operacional të Diego Garcias, duke përfshirë satelitët kundër ndërhyrjeve të huaja. Rreth ishullit do të krijohet një zonë tampon prej 44.5 kilometrash, në të cilën asgjë nuk mund të ndërtohet apo instalohet pa miratimin e palës britanike.

Pa një marrëveshje, Mbretëria e Bashkuar nuk do të ishte në gjendje të ndalonte Kinën ose ndonjë vend tjetër që të ndërtonte bazën e vet në ishujt përreth ose të kryente stërvitje ushtarake pranë një baze britanike, tha Starmer.



Read it all at Bota Sot