Operacion i madh në Francë, arrestohen 55 burra për pedofili

- Bota Sot

Operacion i madh në Francë, arrestohen 55 burra për pedofili

Pesëdhjetë e pesë burra anembanë Francës u arrestuan midis së hënës dhe mëngjesit të së enjtes, si pjesë e një operacioni të gjerë për të çmontuar një rrjet pedofilësh që vepronte përmes shërbimit të mesazheve Telegram, sipas Zyrës Franceze për Mbrojtjen e të Miturve (OFMIN).

Të dyshuarit, të moshës midis 25 dhe 75 vjeç, akuzohen se kanë shkëmbyer mesazhe në Telegram me një abuzues seksual fëmijësh “jashtëzakonisht të rrezikshëm” i cili u arrestua në verën e vitit 2024 dhe fëmijët e tij u shpëtuan pas abuzimit që kishin pësuar, tha për CNN të enjten Quentin Bevan, drejtues i njësisë operacionale të OFMIN-it.

“Këta 55 individë kanë shkëmbyer të gjithë materiale CSAM (Material për Abuzim Seksual të Fëmijëve) me këtë pedofil të rrezikshëm, kështu që kishim prova digjitale që i implikonin të gjithë”, tha Bevan.

Ai theksoi se arrestimet janë “fryti i një hetimi dhjetëmujor”.

“Ishte një hetim i madh dhe një operacion infiltrimi në këtë grup në Telegram. Na u desh të ndiqnim shkëmbimet, t’i analizonim dhe të identifikonim individët që fshiheshin pas pseudonimeve në Telegram — veçanërisht ata që kishin fëmijë, që kishin precedentë penalë, ose që punonin në profesione të ndjeshme që përfshijnë kontakt me fëmijë”, tha Bevan.

Ky i fundit shtoi se burrat ishin të të gjitha moshave dhe shtresave shoqërore: prindër, nëpunës civilë, ushtarakë dhe punonjës të shëndetësisë. Në Francë, zotërimi dhe shpërndarja e materialeve që përmbajnë abuzim seksual të fëmijëve dënohet me pesë vjet burg dhe një gjobë prej 100 mijë eurosh.

Ndryshe, ky nuk është rasti i parë me profil të lartë që përfshin këtë platformë në Francë. Në gusht të vitit 2024, themeluesi i Telegramit, Pavel Durov, u ndalua në Aeroportin Le Bourget të Parisit mbi bazën e një urdhër-arresti që lidhej me politikat e moderimit të Telegramit.

Autoritetet franceze ngritën akuza ndaj Durov-it më 28 gusht 2024, për disa vepra penale, përfshirë pastrim parash dhe shpërndarje të materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve.

Durov deklaroi më pas se ishte i përkushtuar për të përmirësuar moderimin në aplikacionin e tij dhe se autoritetet po përpiqeshin ta mbanin “personalisht përgjegjës për përdorimin e paligjshëm të Telegram-it nga persona të tjerë”. 



Read it all at Bota Sot