Të shtunën në Kavadar, Shkëndija e Haraçinës përballet me Osogovën në ndeshjen vendimtare të balotazhit për inkuadrim në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut.
Me fillim nga ora 17:00, kjo sfidë paraqet një nga momentet më të rëndësishme për klubin nga Haraçina, që pas shumë viteve kërkon të rikthehet aty ku ndjen se i takon.
Trajneri i ekipit, Erkan Murseli, në një prononcim për portalin Sportmania, thekson rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe përgatitjen serioze që ka bërë skuadra.
“Ndeshja e nesërme për Shkëndijën e Haraçinës padyshim është një moment historik dhe emocionues për klubin dhe tifozët. Kjo është një mundësi për të treguar përparimin që skuadra ka bërë dhe për të vendosur një standard të ri për të ardhmen.”
Tekniku kuqezi konfirmon se skuadra është e gatshme dhe me moral të lartë për të arritur synimin.
“Jemi maksimalisht të përgatitur dhe të motivuar për këtë ndeshje historike. Gjatë gjithë javës kemi punuar intensivisht, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik.
Çdo lojtar është i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj sfide dhe secili prej nesh është i gatshëm të japë maksimumin në fushë.
Ne nuk shkojmë thjesht për të marrë pjesë, shkojmë për të fituar dhe për të shkruar histori për Shkëndijën e Haraçinës.”
Sfida Shkëndija – Osogova do të vendosë fatin e një vendi në Ligën e Dytë për sezonin e ardhshëm, ndërsa emocionet priten të jenë të mëdha për të dyja skuadrat.