Një ngjarje tragjike ka ndodhur të shtunën në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, ku një 52-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti gjatë punës.
Sipas Policisë së Tiranës, viktima është shtetasi B.H., i cili ishte duke çmontuar një bojler në banesën e një qytetari. Gjatë procesit të çmontimit, bojleri është shkëputur dhe i ka rënë në kokë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
“Më datë 24.05.2025, në rrugën “Myslym Shyri”, duke punuar në banesën e shtetasit F.H. për çmontimin dhe heqjen e bojlerit të ujit, gjatë punës bojleri është shkëputur duke i shkaktuar dëmtime në kokë shtetasit B.H., 52 vjeç, dhe për pasojë ka ndërruar jetë në spital”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
52-vjeçari ndërroi jetë teksa po transportohej për në spital. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për vlerësim të mëtejshëm.