Pacolli publikon emrat e deputetëve të Kurtit që “po e vjedhin shtetin”

- Gazeta e Prizrenit

Pacolli publikon emrat e deputetëve të Kurtit që “po e vjedhin shtetin”

Sekretari i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli ka publikuar shpenzimet marramendëse të pesë deputetëve të pushtetit që njëkohësisht mbajnë edhe poste ministrore në Qeverinë Kurti.

Ai ka prezantuar të dhëna konkrete që tregojnë një abuzim të paprecedent me fondet publike.

Sipas Pacollit, për vetëm 25 ditë pune, pesë deputetët e zgjedhur të LVV-së – Artane Rizvanolli, Fikrim Damka, Rozeta Hajdari, Nenad Rashiq dhe Faton Peci, kanë shpenzuar 4,500 litra naftë dhe kanë udhëtuar mbi 87 mijë kilometra.

Nëse kjo distancë ndahet për ditë pune, del që ata kanë përshkuar 3480 kilometra në ditë, që sipas deputetit Pacolli, “është e barabartë me një udhëtim nga Kosova në Gjermani dhe kthim, çdo ditë, për 25 ditë rresht”.

“Deputetët që po i kushtojnë shtrenjtë Republikës. 4500 litra naftë. 87 mijë kilometra. 25 ditë pune. 5 deputetë. Kaq janë shpenzimet e naftës për vetëm 25 ditë pune nga 5 deputetët e Albin Kurtit të cilët në kundërshtim me ligjin ushtrojnë edhe funksionin e ministrit. Ata janë: Artane Rizvanolli, Fikrim Damka, Rozeta Hajdari, Nenad Rashiq dhe Faton Peci. Nëse i ndajmë 87 mijë kilometra për 25 ditë del që çdo ditë janë bërë 3480 kilometra. Me kaq kilometra, i bie sikur të kenë shkuar nga Kosova në Gjermani dhe të jenë kthyer prap, çdo ditë. Brenda 25 ditësh, 100 herë!”, ka theksuar ai.

Pacolli ka kritikuar faktin që këta persona ushtrojnë dy funksione njëkohësisht, si deputetë dhe si ministra, gjë që është në kundërshtim me ligjin.

“Këta deputetë, me pare të ministrisë, kanë bërë 87000 kilometra, ndërsa neve qytetarëve na u është shtrenjtuar çdo gjë, nga buka deri tek barnat. Derisa luksin për vete nuk e ndalin, neve na mbetet të jemi kujdestarë të Republikës”, përfundoi Pacolli në videon e publikuar në Facebook.

“Këta janë edhe shpenzues, edhe shkelës të ligjit. Të dhënat janë marrë nga 28 marsi deri me 15 maj, pas çertifikimit të zgjedhjeve!”, shkroi ai.



Read it all at Gazeta e Prizrenit