Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, pranoi se nuk kishte “asgjë tjetër për të shtrydhur” nga skuadra e tij, pasi ata përfunduan në vendin e dytë në Premier League, për të tretin sezon radhazi.
Arteta konfirmoi se planet e transferimit të disa lojtarëve për ta bërë realitet ëndrrën janë aktivizuar, për t’i dhënë fund pritjes 21-vjeçare për titullin. “Topçinjtë” e mbyllën sezonin me një fitore 2-1 ndaj Southampton.
Problem këtë sezon ishte numri i golave të shënuar në kampionat, 69, që është më i vogël se ai i një viti më parë (91 gola). Golashënuesi më i mirë i skuadrës këtë sezon ishte Kai Havertz me 9 gola.
“Nuk kam asnjë pendesë. Nuk kisha se çfarë t’i merrja më shumë se kaq këtij ekipi. Nuk ka asnjë pikë më shumë djerse për të dhënë. Shpresojmë që tifozët të vlerësojnë se ku jemi dhe ku e kemi sjellë këtë klub futbolli në këto vite”, tha Arteta.
“Ne do të kemi shumë kohë për të menduar, për të analizuar atë që ndodhi në sezon, për të mësuar prej tij. Për të marrë gjërat pozitive që ka bërë skuadra dhe të mendojmë se si mund të shkojmë tani në atë përqindje të vogël që mungon”, tha Arteta.