Interi mendon për Fabregasin

- Bota Sot

Interi mendon për Fabregasin

Ka dy çështje themelore që mbivendosen në të tashmen e Interit. E para dhe më urgjente, nuk do të ishte as e nevojshme të theksohej, është finalja e Ligës së Kampioneve që tërheq vëmendjen e një populli të tërë interist.E dyta, e cila prej disa orësh po merr gjithnjë e më shumë karakter urgjent, lidhet me të ardhmen e Simone Inzagit.

Po, sepse nuk është aspak e sigurt që trajneri nga Piaçenza do të vazhdojë të jetë në pankinën zikaltër nga data 1 qershor. Marota dhe Auzilio shpresojnë me gjithë zemër të vazhdojnë në rrugën e vazhdimësisë.

OFERTA- Oferta nga Al Hilal ka ardhur, është e kotë të thuhet e kundërta. Arabët janë pa trajner pasi kanë shkarkuar portugezin Zhorg Zhezus. Oferta ekonomike që i është paraqitur trajnerit është, natyrisht, e pakrahasueshme me çdo klub italian – katër deri në pesë herë më e lartë se ajo që Inzagi përfiton aktualisht nga Interi. Tani gjithçka varet nga vetë ai, i cili ka kërkuar që të mos marrë një vendim para finales së Ligës së Kampionëve, që është ëndrra e një jete.

NDRYSHIMI- Mbi të gjitha, ka ndryshuar perceptimi që Inzagi dhe familja e tij kanë krijuar mbi këtë temë. Dukej se nga familja kishte njëfarë rezistence ndaj një transferimi kaq të pazakontë. Por, siç ndodh shpesh edhe me skuadrat e tij, grupi i ndërtuar nga Inzagi është shumë i bashkuar dhe të gjithë janë në anën e tij. Edhe në këtë rast, gjithçka varet nga ai. Sigurisht, nëse pas gjithë këtij diskutimi Simone Inzagi do të thoshte po ndaj joshjes së arabëve, Interi do të përballej me urgjencën për të gjetur një trajner të ri. Do të kishte vetëm pak ditë në dispozicion, për shkak të afërsisë së Kupës së Botës për Klube.

FABREGAS- Në këtë moment, në shtëpinë zikaltër, profili që pëlqehet më shumë është ai i Çesk Fabregas, por nuk do të jetë e lehtë ta largosh trajnerin katalanas nga projekti i Komos, për shkak të marrëdhënies që është krijuar me klubin dhe premtimit për investime në sezonin e ardhshëm. Në atë pikë do të duhej të gjendej një trajner me karakteristika të ngjashme.

Duke marrë parasysh gjendjen aktuale, mund të përjashtohen emra si ai i Maks Alegri, pavarësisht respektit për të, ai mbetet kandidati numër një për pankinën e Napolit nëse Konte rikthehet te Juventusi. Nëse Inzagi do të largohej, atëherë Marota dhe Auzilio do të duhej të përdornin gjithë përvojën dhe njohuritë e tyre për të zgjedhur udhëheqësin e ri. Pikërisht për këtë arsye, shpresojnë që të mos jetë e nevojshme.



Read it all at Bota Sot