Futbolli përjashtohet nga Lojërat Mesdhetare që zhvillohen në Kosovë

- Bota Sot

Futbolli përjashtohet nga Lojërat Mesdhetare që zhvillohen në Kosovë

Për edicionin e 21-të të Lojërave Mesdhetare, që do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030, është vendosur që futbolli të zëvendësohet me futsall. Kjo është hera e parë që futsalli përfshihet në programin zyrtar të Lojërave Mesdhetare, duke zëvendësuar turneun e mëparshëm të futbollit për moshat nën 21 vjeç.

Anëtari i Bordit të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Stavri Bello, ka thënë për KosovaPress se ky ndryshim është bërë me kërkesë të FIFA-s e cila ka për qëllim kryesor zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin më të madh të sportit të futsallit.

Bello: FIFA kërkoi heqjen e futbollit nga Lojërat Mesdhetare

Me kërkesën e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), duke parë ecurinë e futbollit ndër vite ku gjithmonë kanë marrë pjesë futbollistë të moshës nën 22 vjeç por që nuk ka pasur ndonjë interes shumë të madh, atëherë FIFA vendosi që është më mirë në Lojërat Mesdhetare të zhvillohet futsalli në vend të futbollit normal. Kjo nuk ka të bëjë më organizimin e ‘Prishtina 2030’, por është vendim politik i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit për ta zhvilluar futsallin”, thotë Bello.

Ky ndryshim ka ngritur dyshime mbi atë nëse investimet për rinovimin dhe ndërtimin e stadiumeve në Kosovë të shkojnë me ritëm më të ngadalësuar duke mos e parë atë si nevojë urgjente.

Megjithëse kjo ndikon në planifikimin fillestar të infrastrukturës, autoritetet në Kosovë kanë theksuar se investimet në stadiume dhe objekte sportive do të vazhdojnë sipas planit afatgjatë.

Kushtrim Krasniqi, zëdhënës i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka thënë për KosovaPress se Ministria e Sportit nuk duhet ta ndryshojë planin dhe ritmin e saj për ndërtimin e stadiumeve të futbollit.

Krasniqi: MKRS të mos e ndryshoj planin për investime në stadiume

“Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka vendosur në javët e fundit që futsallin ta përfshijë në programin e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ dhe njëkohësisht ta heq futbollin e grupmoshave U21 dhe U17. Pra kjo është zyrtare nga ICMG dhe futbollin nuk do ta kemi në Lojërat Mesdhetare, do ta kemi futsallin për djem dhe vajza që do të debutojë pikërisht në Kosovë në Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’. Pra kjo e ndryshon pak planin investiv sepse është paraparë që të ndërtohen stadiume pikërisht për këto lojëra por natyrisht që Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport nuk do të thotë që do të heq dorë investimi në stadiume sa i përket investimeve në infrastrukturë mirëpo sa i përket programit të Lojërave Mesdhetare përqendrimi do të jetë tek stadiumi kombëtar si dhe palestrat dhe qendrat tjera”, thekson Krasniqi.

E nga MKRS sigurojnë se ky ndryshim nuk do të ketë aspak ndikim në planin për ndërtimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë. Fidan Shatri, Kryesues i Komisionit për Licencim të Federatave Sportive në këtë ministri, thekson se plani pesë vjeçar për ndërtimin dhe renovimin e 27 stadiumeve do të vazhdojë të implementohet ashtu siç ishte planifikuar më parë.

Shatri: Largimi i futbollit nga Lojërat Mesdhetare nuk e ndalon punën për ndërtimin e stadiumeve

“Plani i stadiumeve është plan pesë vjeçar, ai veçse ka filluar vitin e kaluar, është duke u punuar në vazhdimësi. Së shpejti do të kemi edhe disa stadiume që do të kryhet edhe faza e vlerësimit të aplikimeve të projekteve që janë në fazë të fundit. Normalisht që secili sport, secila veprimtari ë këtë rast e do përkushtimin e vet, në këtë rast, nëse është tërhequr futbollit nga Lojërat Mesdhetare dhe është futur futsalli, domosdoshmërisht edhe kjo pasi që futsalli është sport i mbyllur që luhet në salla të mbyllura dhe normal edhe kjo kërkon që infrastruktura e mbyllur të jetë gati për Lojërat Mesdhetare 2030”, thotë Shatri.

Lojërat Mesdhetare 2030 do të organizohen për herë të parë në historinë e tyre nga Kosova. Kjo është një ngjarje madhore për vendin pasi tregon një rritje të madhe në besimin ndërkombëtar ndaj kapaciteteve të Kosovës për të organizuar ngjarje të rëndësishme sportive.



Read it all at Bota Sot