Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Ferizaj, ka reaguar ashpër pas dëmtimit dhe djegies së bunkerit në Pikën 6, në fshatin Jezerc.
Ata e kanë cilësuar këtë veprim si “të ulët dhe të turpshëm”, duke theksuar se bunkeri është një simbol i qëndresës dhe sakrificës së dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ky veprim i ulët dhe i turpshëm përbën një fyerje për kujtesën dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky bunker është simbol i qëndresës dhe rezistencës së popullit tonë dhe çdo përpjekje për ta shkatërruar atë është një akt kundër trashëgimisë sonë kombëtare”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK Ferizaj ka paralajmëruar se do ta njoftojë Policinë e Kosovës dhe do të kërkojë që autorët e këtij akti të vihen para drejtësisë sa më parë.
“Urojmë që sa më shpejt të gjenden ata që kanë dëmtuar këtë vend të shenjtë të historisë sonë kombëtare. OVL UÇK dega Ferizaj mbetet e vendosur për të ruajtur dhe mbrojtur kujtimin e luftës sonë çlirimtare,” përfundon reagimi