Një seri tërmetesh të fuqishme kanë tronditur javët e fundit zonën e Campi Flegrei, pranë Napolit, duke rikthyer në vëmendje rrezikun e një prej supervullkaneve më të rrezikshëm në Evropë. Lëkundja më e fortë, me magnitudë 4.4, u regjistrua në muajin maj dhe është më e forta në 40 vitet e fundit – një paralajmërim i qartë, sipas shkencëtarëve, për një aktivitet që mund të jetë në rritje.
Në vetëm 6 muaj, më shumë se 3000 tërmete janë regjistruar në këtë zonë, ndërsa emetimet e gazrave janë shtuar ndjeshëm. Të dhënat tregojnë se magma mund të jetë duke u afruar drejt sipërfaqes, një skenar që ngjall frikë për një shpërthim të mundshëm.
Sipas Institutit Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), toka në zonën e Campi Flegrei po kalon nga një gjendje përkuljeje në atë të çarjes, çka e bën edhe më reale mundësinë e një shpërthimi pas më shumë se 480 vitesh qetësi. Një ngjarje e tillë mund të godasë drejtpërdrejt mbi 4 milionë banorë në rajonin e Napolit.
Por rreziku nuk ndalet vetëm në Itali. Ekspertët paralajmërojnë se një shpërthim i madh mund të prekë edhe vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë dhe Ballkanin. Reshjet e hirit, ndotja atmosferike dhe ndikimi në klimë mund të prekin bujqësinë, shëndetin publik dhe trafikun ajror në të gjithë rajonin.
Campi Flegrei nuk është një vullkan si gjithë të tjerët. Rreth 40 mijë vjet më parë, ai shkaktoi një nga katastrofat më të mëdha në historinë e Tokës, duke ndryshuar klimën në shkallë globale.
A jemi përballë një përsëritjeje historike? Shkencëtarët thonë se është ende herët për të dhënë përgjigje, por faktet e fundit kërkojnë vigjilencë maksimale.