Ministri i Drejtësisë i Republikës Çeke, Pavel Blazhek, dha dorëheqjen nga posti i tij për shkak të një skandali të lidhur me valutën digjitale bitcoin, raporton AP.
Ai u kritikua ashpër nga opozita pasi ministria e tij pranoi një donacion me bitcoine dhe i shiti ato për rreth 1 miliard koruna çeke (më shumë se 41 milionë euro) në fillim të këtij viti.
Blazhek tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë shkeljeje, por nuk donte që qeveria e koalicionit katërpartiak e udhëhequr nga kryeministri Petr Fiala të dëmtohej nga skandali. Fiala tha se e vlerësonte dorëheqjen e tij dhe besonte se Blazhek veproi me vullnet të mirë.
Ai ishte aleat i ngushtë i Fialës në qeveri, dhe gjithashtu në Partinë e tij konservatore Qytetare Demokratike. Nuk dihet se kush mund ta zëvendësojë atë.
Çështja u përqendrua në faktin se bitcoinët iu dhuruan ministrisë nga një person i dënuar më parë për trafik droge dhe krime të tjera. Opozita e ka akuzuar Blazhekun për pastrim të mundshëm parash, sepse nuk ishte e qartë se nga vinin bitcoinët. Gjithashtu nuk ishte e qartë pse personi i dhuroi bitcoinët ministrisë.
Çështja është hetuar nga njësia e policisë kundër krimit të organizuar. Skandali ndodhi vetëm disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të tetorit.