Inter kërkon hakmarrje, PSG favorit sipas statistikave

- Bota Sot

Inter kërkon hakmarrje, PSG favorit sipas statistikave

Interi i Simone Inzaghit rikthehet në finalen e Champions League për herë të dytë në tre vite, me dëshirën për të mbyllur një cikël që nisi me humbjen ndaj Manchester City në vitin 2023.

Përballë zikaltërve qëndron Paris Saint-Germain i Luis Enrique-s, në finalen e tij të dytë në këtë kompeticion pas asaj të humbur në vitin 2020 kundër Bayern Munich.

Në letër, parizienët shihen si favoritë.

Sipas analizës së SisalTipster, PSG ka 57% gjasa për ta fituar për herë të parë Champions League, ndërsa Interi ka 43% për të marrë trofeun e katërt në historinë e tij. Për 90 minutat e kohës së rregullt, shanset janë 42% për PSG dhe 30% për Interin, ndërsa barazimi është opsioni tjetër i mundshëm.

Kur flasim për historinë, ajo është interesante: në katër finalet e mëparshme të zhvilluara në Mynih, gjithmonë ka fituar një skuadër që nuk e kishte fituar më parë Champions-in. Po ashtu, vetëm dy herë në histori skuadrat franceze kanë fituar nga 15 finalet në garat kryesore europiane.

Në aspektin statistikor, Interi ka shënuar golin e parë në 11 nga 14 ndeshjet e këtij sezoni në Champions, ndaj ka 50% gjasa që të jetë skuadra e parë që zhbllokon rezultatin edhe në finale. PSG ka 41% për të kaluar e para në avantazh.

Kohë shtesë dhe penallti? Prej finales së Madridit mes Realit dhe Atleticos në 2016 nuk ka pasur më një përballje që ka shkuar përtej 90 minutave. Këtë herë, mundësia për shtesë është 28%, ndërsa penalltitë vlerësohen në 15%.

Një detaj tjetër interesant është se në 6 finalet e fundit të Champions-it, të paktën një skuadër nuk ka shënuar gol. Kjo mund të ndodhë sërish me 45% gjasa, por mbetet më e mundshme që të dyja skuadrat të realizojnë (55%).

Nga pikëpamja taktike, vetëm dy gola me kokë janë shënuar nga të dyja skuadrat në këtë sezon. Mundësia që finalja të vendoset me një gol të tillë është 30%. Ndërsa ndërhyrja e VAR-it pritet në 24% të rasteve.

Për një ndeshje me intensitet të lartë, nuk përjashtohet as ndëshkimi me karton të kuq: 20% është probabiliteti i një ndëshkimi me të kuq, me Interin që s’ka marrë ende karton të kuq në këtë edicion, përkundër PSG-së që ka marrë një.

Zëvendësuesit mund të kenë rol kyç: 33% janë shanset që të shënojë një lojtar që vjen nga stoli. Ndërkohë, PSG ka goditur 8 herë shtyllën këtë sezon, përballë vetëm 2 rasteve nga Interi. Ka 28% mundësi që francezët të godasin më shumë shtylla sesa kundërshtarët, ndërsa Interi ka vetëm 15 për qind.



Read it all at Bota Sot