Shtatë gra dhe fëmijë migrantë që vdiqën, teksa varka që i transportonte u përmbys vetëm pak metra larg bregut në Ishujt Kanarie të Spanjës, u varrosën të premten në portin e La Restrinka, ku shpresonin të gjenin siguri.
Dy vajza pesëvjeçare dhe një 16-vjeçare janë gjithashtu midis të vdekurve, njoftuan shërbimet e shpëtimit. Varka që transportonte emigrantë u përmbys të mërkurën, ndërsa ekipet e shpëtimit po e shoqëronin atë në portin La Restrinka në ishullin El Hierro.
"Dëgjova zërat dhe nuk hezitova. Si çdo qytetar që përballet me një emergjencë ose aksident, hipa në makinë, shkova aty ku ishte varka dhe ndihmova sa më shumë që munda", tha Javier Iglesias, një banor i La Restrinka, në funeralin e shtatë personave, ku morën pjesë edhe emigrantët e mbijetuar.
"Ajo që të prek vërtet dhe të lë mbresa është kur sheh fytyrat, shprehjet e këtyre njerëzve, ëndrra e të cilëve nuk u përmbush, vetëm pesë metra larg bregut."
Numri i migrantëve që mbërrijnë në Ishujt Kanarie nga Afrika Perëndimore arriti nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në vitin 2024 , por numri i mbërritjeve ka rënë këtë vit, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme.
Në pesë muajt e parë të vitit 2024, 4,808 njerëz humbën jetën në udhëtimin e rrezikshëm përtej Atlantikut drejt Ishujve Kanarie, pasi u larguan nga Afrika, sipas organizatës për të drejtat e migrantëve Walking Borders.