Grumbullimi i Kombëtares shqiptare për ndeshjet e muajit qershor nis sot zyrtarisht në Tiranë, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Kuqezinjtë do të përballen këtë të shtunë në mbrëmje me Serbinë, në një ndeshje tepër të rëndësishme dhe të ngarkuar emocionalisht, ndaj stafi teknik ka projektuar një përgatitje të detajuar që tashmë hyn në fazën kryesore. Prej disa ditësh, një pjesë e futbollistëve kanë qenë të grumbulluar në Durrës, ku kanë zhvilluar seanca stërvitore të përqendruara dhe madje edhe një ndeshje miqësore.
Të shtunën, lojtarët e përzgjedhur nga trajneri Silvinjo u përballën në një test të brendshëm me futbollistë të ndryshëm nga Kategoria Superiore. Kjo ndeshje i shërbeu stafit teknik për të parë nga afër gjendjen fizike dhe formën e lojtarëve që nuk kanë pasur shumë minuta në fund të sezonit, si dhe për të krijuar një ide më të qartë mbi alternativat në prag të përballjes me Serbinë.
Ndërkohë, sot pritet të kompletohet një pjesë e rëndësishme e grupit. Me ekipin do të bashkohen mesfushori Qazim Laçi, mbrojtësi i majtë Mario Mitaj, sulmuesi Myrto Uzuni dhe lideri i prapavijës, Berat Gjimshiti. Po ashtu edhe Ernest Muçi me Arlind Ajetin. Lojtarët në fjalë kanë përfunduar angazhimet me klubet respektive dhe do t’u bashkohen përgatitjeve nga dita e sotme.
Sa i përket Jasir Asanit, anësori ofensiv që aktivizohet në Korenë e Jugut me Guanzhunë, pritet të mbërrijë nesër në Tiranë për shkak të një fluturimi të gjatë dhe angazhimit të fundit në kampionatin aziatik, ku shënoi gol pas një periudhe të gjatë pritjeje. Seanca e sotme do të jetë e para zyrtare në kuadër të përgatitjes për sfidën kundër Serbisë, e cila luhet të shtunën në mbrëmje. Stafi teknik pritet të rrisë intensitetin e punës me afrimin e lojtarëve titullarë dhe përgatitjen e skemës taktike që do të përdoret në këtë sfidë të rëndësishme.