Vjet ishte pranë, por tha “jo”. Këtë vit përgjigja duket se do të jetë diametralisht e kundërt, dhe Berat Gjimshiti mund t’i thotë “lamtumirë” Atalantës, futbollit italian dhe atij europian.
Siç njoftojnë mediat nga Bergamo, kapiteni I kombëtares shqiptare ka marrë sërish një ofertë nga klubi Al Rajan në Katar, dhe flitet për shifra që vështirë të refuzohen.
Oferta financiare mund të arrijë nga 10 deri në 15 milionë euro për Atalantën, dhe në dyfishin apo më shumë të rrogës për lojtarin, që me kontratën e tanishme merr vetëm 800 000 euro në sezon pas pagimit të taksave.
Al Rajan e kërkoi edhe verën e kaluar, por vullneti I lojtarit ishte për të vazhduar në elitën italiane dhe të kontinentit të vjetër.
Tashmë, Gjimshiti ka bërë llogari të tjera. Ai është 32 vjeç, dhe ndonëse ka qenë vazhdimisht titullar, dhe njëri nga më të mirët, asgjë nuk do të jetë e garantuar.
Për më tepër, trajneri Xhampiero Gasperini, që e mori tek Atalanta dhe që e pati të besuarin e tij, nuk do të vazhdojë më në drejtimin e ekipit, dhe do të shkojë tek Roma.
Në total, Berat Gjimshiti ka luajtur 287 ndeshje për Atalantën, me 10 gola e 10 asistë, ka 250 ndeshje gjithsej në Serinë A, dhe mbi 350 ndeshje në Itali dhe në Europë.