Gigio Donnarumma pranoi se nuk mundi ta shijonte plotësisht triumfin e PSG-së në Ligën e Kampionëve, pasi e arriti atë kundër “vëllezërve” që luanin për Inter.
Donnarumma foli në një konferencë për shtyp në Coverciano të mërkurën.
Portieri është fitues i freskët i Ligës së Kampionëve me PSG-në dhe gjatë grumbullimit të kombëtares italiane, është bashkuar me lojtarët e Interit: Nicolò Barella, Alessandro Bastoni, Davide Frattesi dhe Federico Dimarco.
Një gazetar e pyeti sesi e pritën lojtarët e Interit në Coverciano dhe nëse kishte bërë ndonjë shaka pas fitores 5-0 në finalen e Champions-it.
“Nuk kam thënë asgjë,” pranoi Donnarumma.
“Pati një përqafim shumë të ngrohtë me shokët e skuadrës pas ndeshjes. Ishte një moment shumë i lumtur për mua. Por e vërteta është që e pata të vështirë ta shijoja plotësisht, sepse përballë kisha vëllezër me të cilët gjithmonë kam luftuar krah për krah. Pati një përqafim shumë të bukur në fund të ndeshjes. Diçka e veçantë, që kishte shumë kuptim për mua. Nuk kemi folur fare këtu për ndeshjen, as nuk kemi bërë shaka.
E vetmja gjë që kemi bërë është të përqendrohemi tek forca që na duhet për këto dy ndeshje dhe të japim gjithçka së bashku.”
Ironikisht, agjenti i Donnarumma-s u pa në zyrat e Interit të mërkurën, por nuk besohet se është diskutuar rreth kapitenit të Italisë.
Gjithsesi, Donnarumma tha se ndihet i lumtur në Paris dhe dëshiron të zgjasë kontratën me gjigantët francezë.
Agjenti i tij, Enzo Raiola, po vazhdon bisedimet me PSG-në për një marrëveshje të re, pasi kontrata aktuale e portierit përfundon në qershor 2026.