Monaco dhe Barcelona kanë rinisur negociatat për të finalizuar transferimin e Ansu Fati drejt klubit të Principatës, pas një fundjave ku bisedimet dukeshin se ishin ftohur.
Sulmuesi spanjoll do të transferohet te klubi francez në formë huazimi, me detyrim blerjeje në fund të sezoit për 12 milionë euro. Marrëveshja është në një fazë të avancuar, me vetëm disa detaje që mbeten për t’u finalizuar, siç raportohet nga Fabrizio Romano.
Ansu Fati nuk është në planet e Flick, gjë që e tregon dhe minutazhi i pakët që ka pasur në këmbë këtë sezon. 22-vjeçari është aktivizuar në 11 ndeshje në gjithë sezonin dhe ka luajtur jo më shumë se 300 minuta.
Barcelona kërkon ta “sistemojë” sa më shpejt Ansu Fati-n, me qëllim të shpëtojë edhe nga paga e majme që ai merr te katalanasit, gjë që është bërë pengesë për shumë klube të tjera që kanë dashur transferimin e tij. Tani, sulmuesi është i “detyruar” të pranojë huazimin te Monaco, ndryshe do vazhdojë të “kalbet” në stol.
Nga ana tjetër, Monaco e sheh sulmuesin si një “bast” që mund të rezultojë një mundësi e mirë tregu pas disa sezonesh, pasi nuk është se i mungojnë aftësitë dhe cilësitë në sulm, por në një ekip shumë konkurrues si Barcelona, sigurisht që do e ketë të vështirë të jetë protagonist, ndaj ransferimi në Ligue 1 mund të jetë “shpëtimi” i karrierës së tij.