Nënkomiteti për Evropën në kuadër të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, kryesuar nga kongresisti Keith Self, zhvilloi sot seancën dëgjimore ‘Vlerësimi i sfidave me të cilat përballet NATO’, me fokus në kërcënimet që po evoluojnë ndaj Aleancës dhe ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Kryesuesi Self e hapi seancën me fokus të veçantë në rëndësinë e sigurisë dhe përparimit demokratik të Kosovës, si dhe domosdoshmërinë për të kundërshtuar ndikimin e dëmshëm të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për aktivitetet destabilizuese që burojnë nga Serbia dhe Republika Serbe, zhvillime që po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e zyrtarëve amerikanë dhe NATO-s, raporton KosovaPress.
Ndërsa, admirali në pension Mark Montgomery tha se Serbia dhe Republika Serbe janë akterë të rrezikshëm që minojnë stabilitetin në Ballkan.
Ekspertë të tjerë të ftuar ishin Nile Gardiner dhe ambasadorja Julianne Smith, të cilët ofruan perspektiva për rëndësinë strategjike që ka Ballkani për unitetin dhe sigurinë afatgjatë të NATO-s.
Organizata Albanians For America (AFA) ishte e pranishme në këtë seancë dhe vazhdon të avokojë për angazhim më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të lirisë, vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit në të gjithë Ballkanin.
AFA vlerëson angazhimin e liderëve si kongresisti Keith Self, të cilët po e vendosin Kosovën dhe çështjet rajonale në qendër të vëmendjes globale në një moment kyç për rajonin.
Duke marrë parasysh kërcënimet e identifikuara gjatë dëgjimit, AFA bën thirrje që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s të përshpejtojnë hapat drejt integrimit të plotë të Kosovës në Aleancë. Si një partnere e përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike, përfshirja e Kosovës do ta forconte krahun juglindor të NATO-s dhe do të kontribuonte në siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.