Pedri ka përjetuar një vit fantastik. Ai ndihmoi Spanjën të fitonte Euro 2024 dhe më pas luajti një rol kyç në suksesin e trefishtë të Barcelonës. Por gjërat mund të kishin marrë një rrjedhë ndryshe për mesfushorin 22-vjeçar.
Sipas asaj që raporton AS, Pedri ka konfirmuar interesimin e Bayern Munich, që kishte shfaqur dëshirën ta transferonte kur Hansi Flick, trajneri aktual i Barcelonës, drejtonte klubin gjerman.
“Ata ishin të interesuar për mua, por dashuria ime për Barcelonën është e pakushtëzuar. Është klubi i ëndrrave të mia dhe do të jetë shumë e vështirë të largohem prej andej”, deklaroi Pedri.
Pas një sezoni të shkëlqyer, ku ishte ndër lojtarët më të mirë të Barcelonës, Pedri është përmendur si kandidat për Topin e Artë 2025. Ai e pranoi me përulësi këtë vlerësim dhe tregoi se është i kënaqur me respektin që po merr.
“Nuk i shoh shumë çmimet individuale, por që kur Rodri fitoi “Topin e Artë”, gjithçka është ndryshe. Më parë nuk përqendroheshin te mesfushorët. Titujt me ekipin kombëtar kanë një peshë të madhe dhe kjo ka ndryshuar perceptimin”, shpjegon spanjolli.
Pedri shtoi se aktualisht është i fokusuar te Spanja, e cila do të luajë finalen e Ligës së Kombeve, dhe se për momentin nuk dëshiron të flasë më shumë për këtë çështje.
Pedrit iu kërkua gjithashtu të komentonte për dy trajnerët e Spanjës: Luis de la Fuente dhe Luis Enrique.
“Janë dy trajnerë të ndryshëm. De la Fuente gjithmonë ka besuar tek unë që nga të rinjtë, ndërsa Luis Enrique është spektakolar dhe më bëri të debutoj me Spanjën. Nuk mund të zgjedh mes tyre – është si të zgjedhësh midis babait dhe nënës”, përfundoi Pedri.