Shisnin në treg të zi bileta për ndeshjen Shqipëri – Serbi, arrestohen 3 tifozë

- Bota Sot

Shisnin në treg të zi bileta për ndeshjen Shqipëri – Serbi, arrestohen 3 tifozë

Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës për shitje në treg të zi të biletave për ndeshjen Shqipëri – Serbi.

Duel ky që do të luhet të shtunën në orën 20:45 në "Arenën Kombëtare".

Ledion Metallari, Arbi Topi dhe Ilir Lokaj, u identifikuan nëpërmjet rrjeteve sociale, platformë e përdorur për të reklamuar biletat, çmimet e të cilave variojnë nga 250 euro deri në 500 euro, shifër disa herë më e lartë se ajo e përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).

Sakaq, në gjendje të lirë janë proceduar dhe dy shtetas të tjerë, E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar si bashkëpunëtorë. 

“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Attention”.

Shitën në Instagram, bileta për ndeshjen “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga FShF-ja, arrestohen 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2.

Si rezultat i sigurimit të informacionit se në një llogari në rrjetin social “Instagram”, shiteshin bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Attention”.

Në kuadër të operacionit, u identifikuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit L. M., 34 vjeç, A. T., 23 vjeç dhe I. L., 24 vjeç, të cilët u vunë në pranga, si dhe shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar, për të cilët filloi procedimi në gjendje të lirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”. 

Siç dihet prej ditësh në rrjetet sociale po bëhet "kërdia" nga shitja e biletave në treg të zi, teksa shkojnë në "stratosferë" për një biletë. Kujtojmë se për duelin me Serbinë, interesi i tifozëve ka qenë i jashtëzakonshëm në aplikimin për tu paisur me bileta, por siç dihet vetë disa kanë patur fatin të sigurojnë biletat pas një shorti elektronik të aplikuar nga FSHF.



Read it all at Bota Sot