Kombëtarja e Shqipërisë po bëhet gati për sfidën e së shtunës me Serbinë, ndërsa serbët thonë se do ta marrin rrugën drejt Tiranës me qëllim fitoren në “Arenën Kombëtare”.
Para ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2026 ka folur mesfushori i serbëve, Urosh Raçiq.
Ai e vlerësoi lart ekipin kuqezi, ndërsa zbuloi se njeh shumë lojtarë shqiptarë, me të cilët ka pasur edhe shoqëri në të kaluarën.
“E dimë cilat janë detyrimet tona, çfarë duam dhe sa mund të bëjmë.
Prova e parë është në Tiranë, një ndeshje që po tërheq shumë vëmendje, të dyja ekipet duan një vend që do t’i sillte më afër kualifikimit në një nga kompeticionet më të mëdha.
Unë njoh shumë lojtarë shqiptarë, kam pasur shokë skuadre te Sassuolo.
Ata janë një ekip i mirë kombëtar, kundërshtari ynë direkt.
Janë të fortë, një kundërshtar i vështirë, meritojnë respekt, si të gjitha ekipet e tjera”, deklaroi Raçiqi në konferencë për shtyp.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë do të luhet të shtunën mbrëma, duke filluar nga ora 20:45.