Prizren, Komuna e Prizrenit edhe këtë vit ka vazhduar me praktika jo të plota të transparencës në ndarjen e subvencioneve për organizatat joqeveritare (OJQ), shprehet përmes komunikate organizata Ec Ma Ndryshe, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Komunikata:
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve, ndërsa Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik (DTZHE) ka bërë publike vetëm listën preliminare.
🔗 Lista e DKRS
🔗 Lista e DTZHE
EC Ma Ndryshe ashtu sikurse edhe në vitet e mëparshme kërkon që publikimi i listave të shoqërohet me informatat si në vijim: kriteret e vlerësimit, emrat e anëtarëve të komisioneve vlerësuese, shumat me të cilat ka aplikuar çdo organizatë, shumat e mbështetura nga drejtoritë përkatëse, si dhe përshkrime të shkurtra të projekteve dhe rezultateve të synuara.
Publikimi i këtyre të dhënave do të shërbente si shembull i mirë i qeverisjes transparente dhe llogaridhënëse. Transparenca në ndarjen e subvencioneve është një nga parimet themelore të legjislacionit në fuqi dhe një zotim i shpallur publikisht nga menaxhmenti i komunës.
Praktika aktuale e publikimit të pjesshëm të informatave bie ndesh me këto parime dhe rrezikon të minojë besimin e qytetarëve në institucionet publike. EC Ma Ndryshe u bën thirrje drejtorive komunale që të ndryshojnë praktikën e deritanishme të publikimit të informatave të pjesshme dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar transparencë të plotë në të gjitha fazat e ndarjes së subvencioneve.