Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar sulmet e fundit të Izraelit ndaj Iranit, duke i cilësuar si një zhvillim pozitiv për tregun global dhe sigurinë ndërkombëtare.
Në një intervistë telefonike për gazetën The Wall Street Journal, Trump tha se operacioni izraelit ndihmon në pengimin e Iranit për të siguruar një armë bërthamore, çka sipas tij, përbën një fitore për mbarë njerëzimin.
“Në fund të fundit, kjo është diçka shumë pozitive për tregjet, sepse Irani nuk do të ketë një armë bërthamore. Duhet të jetë gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë tregut. Irani nuk do të ketë një armë bërthamore që ishte një kërcënim i madh për njerëzimin”, u shpreh ai.
Sipas gazetës amerikane, Trump konfirmoi se ka biseduar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ditën e djeshme dhe se planifikon të flasë sërish me të brenda ditës. Ai po ashtu bëri të ditur se ekipi i tij ishte i informuar për operacionin para se të ndodhte.
I pyetur se sa njoftim paraprak kishte marrë SHBA për këtë ndërhyrje, Trump u shpreh: “Njoftim? Nuk ishte një njoftim. Ishte: e dimë çfarë po ndodh.”
Trump e cilësoi sulmin si të suksesshëm: “Një sulm shumë i suksesshëm, për ta thënë butë.”.