Publikohet udhëzuesi për përfitimin e shtesave për fëmijë dhe lehona

- Gazeta e Prizrenit

Publikohet udhëzuesi për përfitimin e shtesave për fëmijë dhe lehona

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka miratuar udhëzuesin rreth zbatimit të Shtesave për Fëmijë dhe Lehona.

Në udhëzuesin e përditësuar thuhet se të gjithë fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç që janë rezident në Kosovë kanë të drejtë në përfitim nga shtesat për fëmijë.

“Familjet me 1 ose 2 fëmijë – përfitojnë 20 euro në muaj për secilin fëmijë. Familjet me 3 ose më shumë fëmijë – përfitojnë 30 euro në muaj për secilin fëmijë, thuhet në njoftim.

Aplikimi sipas ministrisë, bëhet nga nëna e fëmijës përmes platformës e-Kosova, dhe mjetet kalojnë në llogarinë e saj bankare.

“Në rastet kur nëna ka ndërruar jetë apo nuk është shtetase e Kosovës, babai ose kujdestari ligjor mund të aplikojë me dokumentacionin përkatës. Në situata specifike si: Prindër të divorcuar, nëna ka braktisur fëmijën, kujdestaria i është dhënë babait me vendim gjykate apo nga QPS – aplikimi bëhet nga babai në rolin e kujdestarit ligjor”.

“Në rastet kur fëmija është në strehim rezidencial, atëherë aplikimi bëhet nga entiteti strehues përkatësisht punonjësi i autorizuar nga entiteti i cili hap një llogari bankare për fëmijën ku depozitohen mjetet e shtesave për fëmijë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq të drejtë për përfitim kanë të gjitha lehonat rezidente në Kosovë, përcjell Klankosova.tv.

“Lehonat e papuna – përfitojnë 325.9 euro në muaj për 6 muaj me radhë, nëse kanë qenë të papuna për së paku 9 muaj nga 12 muajt e fundit para lindjes (sipas të dhënave të ATK). Lehonat e punësuara – përfitojnë 325.9 euro për 3 muaj me radhë. Aplikimi bëhet brenda 90 ditëve nga data e lindjes së fëmijës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, nëse fëmija është i lindur në Kosovë dhe aplikimi për shtesa bëhet brenda 3 muajve nga lindja, përfitimi miratohet automatikisht pa pasur nevojë për verifikim shtesë.

Ndërsa sipas po të njëjtit njoftim, në rastet kur fëmija është i lindur jashtë Kosovës, apo kur aplikimi bëhet pas 3 muajve, atëherë lënda kalon në procedurë të verifikimit, ku kërkohen dokumente plotësuese për të vlerësuar të drejtën në përfitim.

“Departamenti i Skemave Sociale (DSS) ka të drejtë të kërkojë dokumentacion për verifikim të kritereve: Certifikatë të vendbanimit, dëshmi nga shkolla për vijim të rregullt, dëshmi vaksinimi nga institucionet shëndetësore, aturë të rrymës, regjistrim të bashkësisë familjare në ASK, etj”.

“Në rast të mospërmbushjes së dokumentacionit, mund të ndodhë pezullimi i përkohshëm i përfitimit deri në përmbushjen e kërkesave apo ndërprerja e përfitimit në rast se rezidenca e përfituesit nuk verifikohet.  Nëse ndodh pezullimi apo ndërprerja e përfitimit pa një vendim të arsyetuar, përfituesi ka të drejtë të dërgojë ankesë në Komisionin e Ankesave brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit”, thuhet tutje në njoftim.



Read it all at Gazeta e Prizrenit