Aktakuza ndaj Damkës, PDK: Prokuroria të shqyrtojë edhe përgjegjësinë e Gërvalles dhe Gashit

- Gazeta e Prizrenit

Aktakuza ndaj Damkës, PDK: Prokuroria të shqyrtojë edhe përgjegjësinë e Gërvalles dhe Gashit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, për keqpërdorim të buxhetit shtetëror.

Në një reagim të deputetes së PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, ky është një hap i rëndësishëm në zbardhjen e një skandali që partia ka denoncuar më 1 qershor 2022, përmes një kallëzimi penal të dorëzuar bashkë me avokatin Faton Fetahu.

Megjithatë, Musliu-Shoshi shprehu shqetësimin e saj për faktin që në aktakuzë nuk janë përfshirë dy figura kyçe të kësaj afere: zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz dhe zëvendësministrja Liza Gashi, të cilat, sipas saj, kanë qenë përfituese direkte përmes organizatës “Germin”.

“Ajo që mbetet e pashpjegueshme është mos përfshirja në aktakuzë e dy protagonisteve kyçe të kësaj afere: zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz dhe zëvendësministrja Liza Gashi, si përfituese direkte përmes organizatës Germin”, theksoi Musliu-Shoshi.


Ajo theksoi se marrëveshja e realizuar me pëlqimin e Gërvallës ka shkelur katër ligje të Republikës së Kosovës dhe ka dëmtuar mbi 1 milion euro nga buxheti publik.

Musliu-Shoshi bëri thirrje që Prokuroria Speciale të hetojë deri në fund këtë aferë dhe të shqyrtojë me kujdes rolin dhe përgjegjësinë e çdo zyrtari të përfshirë, përfshirë edhe Gërvallën dhe Gashin.

“PDK do të vazhdojë të mbrojë interesin publik dhe të kërkojë llogaridhënie për çdo abuzim me pushtetin dhe pasurinë e qytetarëve”, tha ajo.



Read it all at Gazeta e Prizrenit