Ftesa e dasmes nga Amerika mbërrin në Durrës pas 14 vjetësh

- Gazeta e Prizrenit

Ftesa e dasmes nga Amerika mbërrin në Durrës pas 14 vjetësh

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Durrës, ku Arian Ndoni ka marrë një ftesë dasme nga SHBA, por me një vonesë të jashtëzakonshme prej 14 vjetësh.

Ftesa, që daton nga qershori i vitit 2011, erdhi papritur në kutinë e tij postare këtë të shtunë, duke e habitur totalisht, shkruan Gazeta Sinjali. “U habita kur pashë ftesën. Një ftesë për dasmë që vjen nga SHBA, por kur lexova datën, s’më besohej. Martesa ka ndodhur në vitin 2011. Sot jemi në 2025. Vetëm sot e gjeta në kutinë time të postës. 14 vite vonesë!” tregoi Ndoni me humor.

Sipas tij, ftesa mban vulën e tranzitit nga Tirana në janar 2011, që tregon se ishte mbërritur në Shqipëri në kohën e duhur, por më pas duket se ka ngecur diku gjatë rrugës nga Tirana në Durrës.

Në një epokë ku komunikimi është pothuajse i menjëhershëm, kjo ngjarje tregon se edhe sot mes teknologjisë moderne mund të ndodhin “udhëtime romantike” të postës — edhe pse jashtë çdo kohe dhe pritjeje. Ndoni tha se kjo vonesë ka ndikuar edhe në marrëdhëniet e miqësisë me dërguesit e ftesës, duke theksuar rëndësinë që ai dhe miqtë e tij i japin komunikimit me anë të kartolinave dhe letrave.



Read it all at Gazeta e Prizrenit