Ish-prokurori special, Elez Blakaj, ka reaguar për marrjen e vendimit nga Gjykata Themelore, lidhur me rastin e listave të veteranëve të luftës.
Duke prezantuar ligjin përmes të cilit bëhet kategorizimi i veteranëve të UÇK-së, Blakaj thotë:
“Miq, manipuluesit dhe avokuesit e tyre qëllimisht e përdorin vetëm shprehjen veteranë në debate publike, me qëllim që të krijojnë mjegull dhe shfajësim, duke e shmangur kategorizimin e tyre, ani pse e dinë shumë mirë që pension, sipas këtij ligji, marrin vetëm dy kategori: Invalidi i luftës së UÇK-së dhe veterani luftëtar i UÇK-së”.
Kujtojmë se ish-prokurori Blakaj ka qenë përgatitës i aktakuzës për rastin e listave të fryra të veteranëve dhe për një kohë i ka hetuar ato.
Ky është postimi i plotë i tij:
Pas gati 7 vjet;sh, Gjykata Themelore në Prishtinë paska marrë vendim për rastin e veteranëve!
Për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur si dhe për ata që kanë futur duart në rast, mos u bëni marak, sepse Apeli e kthen rastin përsëri në rigjykim!
Miq, ky më poshtë është ligji me të cilin është bërë kategorizimi i veteranëve të UÇK-së, për të cilin qëllimisht anëtarët e Komisionit qeveritar dhe avokuesit e tyre kanë tentuar të manipulojnë opinionin publik.
Neni 3 i Ligjit Nr. 04/L-261 – Përkufizimet
1.3. Veteran i UÇK-së – pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës si:
• 1.3.1. Invalid i luftës së UÇK-së – luftëtari, pjesëtari dhe i internuari (i burgosuri) i UÇK-së, i cili ka pësuar plagë, lëndime (dëmtime) fizike dhe psikike apo sëmundje të rënda gjatë luftës ose në burgjet dhe kampet e armikut, gjatë periudhës së luftës, me shkallë të invaliditetit së paku 10%.
• 1.3.2. Veteran luftëtar i UÇK-së – qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandat, shtabet e zonave operative të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së dhe ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.
• 1.3.3. I internuar i UÇK-së – secili person i cili, për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së, është arrestuar gjatë periudhës 1997–1999 dhe mbajtur në burg nga forcat e Serbisë.
• 1.3.4. Pjesëtar i UÇK-së – çdo person i cili, me vendim apo akt tjetër, është caktuar të kryejë detyra konkrete në mbështetje politike, logjistike, financiare dhe detyra të tjera, të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, gjatë periudhës 1997–1999.
• 1.3.5. Pjesëmarrës në luftë – ushtari që është radhitur në radhët e UÇK-së, ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive për të kontribuar në luftë, por për arsye të ndryshme i ka lëshuar radhët e UÇK-së para përfundimit të luftës.
• 1.3.6. Ushtar i zhdukur (i pagjetur) i UÇK-së – veterani ose pjesëtari i UÇK-së, fati i të cilit ende nuk është zbardhur.
Të gjitha këto kategori të lartcekura janë veteranë dhe duhet të vlerësohet e respektohet kontributi i secilit!
Sipas Ligjit Nr. 04/L-261, të gjitha kategorive të sipërpërmendura u garantohen beneficione dhe përparësi, por PAGESË/PENSION, sipas këtij ligji, marrin vetëm Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së — dhe pikërisht KJO pagesë/pension ka qenë pika e kthesës ku procesi ka devijuar seriozisht!
Përkufizimi dhe kategorizimi i lartcekur është produkt 100% i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së, i cili në fazat e mëvonshme të verifikimit, bashkë me mekanizmat e tij, e ka zbatuar këtë ligj sipas dëshirës!
Miq, manipuluesit dhe avokuesit e tyre qëllimisht e përdorin vetëm shprehjen VETERANË në debate publike, me qëllim që të krijojnë mjegull dhe shfajësim, duke e shmangur kategorizimin e tyre, ani pse e dinë shumë mirë që pension, sipas këtij ligji, marrin vetëm dy kategori: Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së.
Kështu thotë ligji e të tjerat janë dëshira, e para se të bëhej ligj ka thënë ky komision, i cili më vonë është penduar… por ka qenë vonë!
VAZHDON!